Abdixhiku: Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë, propozova 26 janarin 2025

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet në Kosovë të mbahen më 26 janar 2025.

Sipas tij, vendi duhet të shkoj sa më parë në zgjedhje.

“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”- ka thënë ai.

Ndërsa, ka shtuar se sipas LDK-së, zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë.

“Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë, si rikthim tek qytetari, si vlerë e shtetit tonë të ri, ato na vijnë në një moment kritik të vendit, të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë. Prandaj dhe përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim”- ka thënë ai.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK e AAK kanë propozuar që zgjedhjet e rregullta në Kosovë të mbahen më 26 janar 2025.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media pas takimit me liderët e partive politike në vend për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.

Osmani tha se janë pajtuar që dita e zgjedhjeve të caktohet pas analizës të disa datave të mundshme për organizimin e tyre.

“Disa parti preferuan 25 janarin, disa tjera 2 shkurtin, dhe të tjera që nuk kishin preferencë. Meqenëse shumica nuk kishin kërkesa për konsultime shtesë u pajtuam që pasi të bëjmë analizën e të gjitha datave të caktohet dita e zgjedhjeve. Ky vendim ende nuk është marrë”- tha ajo.