Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Vendi ynë ka gjasë të humbasë aleatët dhe sovranitetin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se ai po e dërgon Kosovën drejt humbjes së përkrahjes së aleatëve.

Ai ka thënë se shkatërrimi i aleancës më vendet mike nuk ka përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës.

Sipas Abdixhikut, Kosova pa aleatë s’ka gjasë të shtrojë as sovraniteti.

“Ky që para pak kohësh ka pranuar publikisht se është informuar nga po këta miq mbi gjërat që nuk i dinte si kryeministër, të njëjtit njerëz sot janë ‘naivë’ e nuk dinë. Në këtë përballje me gjithë botën demokratike me aleatët, përballja me bandat dhe vetë Serbinë mbetet në rend të dytë. Pa të parët, jo vetëm pa aleatë, por me aleatë kundër nesh, vendi ynë s’ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin e as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbasë aleatët dhe sovranitetin. Dhe në këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot” – ka thënë Abdixhiku.

Tutje ka thënë se LDK e ka mbështetur garën më veri, sepse ka besuar se kjo është e drejta e një shteti të pavarur dhe demokratik.

“Por, mund të mbetet e drejtë e një kryetari të ngujuar si në hotel, me polici rreth tij, ushtarë të NATO-s në mes e me banda kriminale përreth që kryeministri i njeh por nuk i arreston, mbetet me tre kryetar tjerë që nuk janë duke e ushtruar funksionin e tyre, çfarë sovraniteti është ky” – deklaroi Abdixhiku.

“Kjo e drejtë e jona pa mbështetjen ndërkombëtare mbetet veçse një ndjenjë e parealizuar” – shtoi ai.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë për situatën në veri të vendit dhe raportet e Kosovës me SHBA-në.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët  të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.