Abdixhiku uron Pavarësinë: Është arritja më e madhe e jona

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku (LDK), përmes një video mesazhi, ka uruar qytetarët për 15 vjetorin e pavarësisë.

Abdixhiku thotë se 17 shkurti është kulmi i përpjekjes së gjeneratave të tëra për liri, për pavarësi e për demokraci.

“17 shkurti ynë është kulmi i përpjekjes së gjeneratave të tëra për liri, për pavarësi e për demokraci. Është arritja më e madhe e jona pas një rrugëtimi sa krenar aq edhe të dhimbshëm”- tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së shprehet se të mirët tanë lartnuan shtetin dhe të drejtit i dhanë shkëlqimin e përditshëm.

“Të mirët tanë lartnuan shtetin, të drejtit i dhanë shkëlqimin e përditshëm. Të gjithë bashkë i bëmë vendin – të barabartë mes popujve të lirë”- ka thënë i pari i LDK-së.

“Kjo ëndërr e ky rrugëtim duhet të vazhdojë me po aq përkushtim. Sepse ky rrugëtim s’ka kthim mbrapa. Sepse Kosova, atdheu ynë, është i përhershëm. Sepse Republika është e pavdekshme. Urime dita e pavaresise Kosove! Të paqim përgjithmonë!”- shtoi ai.

Sot janë bërë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.