Abdixhiku thirrje Prokurorisë të nis hetime për krizën me energjinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se arsyeja pse Kosova nuk ka rrymë është se Blloku A5 i KEK-ut nuk ka kryer mirëmbajtjen në kohë.

Sipas tij, qeveria është vonuar të veprojë pasi verës pushon kurse dimrit nis mirëmbajtjen.

“Kosova nuk ka rrymë sot sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë – prandaj tash e një muaj nuk është në funksion. Një muaj as mirëmbajtje e as prodhim. Dhe do të qëndrojë kështu për shumë kohë sepse Qeveria e Kosovës, sikurse në çdo temë tjetër, është e vonuar të veprojë. Verës pushon, dimrit nisë të mirëmbajë – këso praktike të mbrapshtë nuk njeh asnjë shtet”, ka shkruar Abdixhiku.

I pari i LDK-së potencoi se si pasojë e kësaj vonese humbin 130MWh në orë.

Ai shtoi se Kosova ka kapacitete, por nuk i ka në punë.

“Sot, nga 130 MWh në orë, apo 78,000 euro për orë (në pikun energjetik), i humbasim si pasojë e kësaj vonese skandaloze. Madje, gjatë muajve në vijim, kur çmimi i energjisë rritet edhe më shumë, vlera e humbur do të jetë shumë më e lartë se kjo. Kemi kapacitete por s’i kemi në punë. Kjo është e vërteta e reduktimeve të rrymës në verë”, ka  shtuar më tej Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, vonesa është një interes madhor për përfitim të milionave nga tenderët për riparim dhe blerje të energjisë.

“Përtej neglizhencës së praktikantëve, nuk mund të mendojë asgjë tjetër, veçse një interes madhor që përfiton miliona euro nga tenderet riparuese e nga blerja e energjisë derisa ne nuk prodhojmë”, shtoi Abdixhiku.

Lumir Abdixhiku ka ftuar Prokurorinë të hetoj vonesën në mirëmbajtjen e bllokut A5.

“Prandaj ftoj Prokurorinë e Kosovës, të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5. Siç dhe ftoj Qeverinë e papërgjegjshme të Kosovës të zgjohet nga gjumi i thellë veror e të bëjë çdo përgatitje të nevojshme për një dimër të vështirë për energjinë – nisur nga shkarkimi i Bordeve partiake në KEK e ZRrE që me paaftësi po krijojnë terr në verë” është shprehur Abdixhiku.