Abdixhiku: Thellësisht mirënjohës miqve ndërkombëtarë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot me rastin e 22 vjetorit të përfundimit të bombardimeve të NATO-s, ka përkujtuar dhe falënderuar të gjithë ata që dhanë kontribut deri në pavarësinë e Kosovës.

”Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. 22 vjet më parë NATO-ja me fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, shënoi fillimin e fundit të luftës së kahmotshme në Kosovë. Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO me të gjitha kontigjentet e saj ka bërë në Kosovë edhe në kohën e intervenimit 78 ditë dhe netë që i dhanë fund gjenocidit e masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe mundësuan kthimin e qindra mijëra refugjatëve në shtëpitë e tyre”, ka thënë Abdixhiku, përcjellë Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmes një postimi në llogarinë zyrtare të kësaj partie në rrjetin social Facebook.

Ai ka shprehur mirënjohje të thellë Aleancës Veriatlantike dhe Bashkësisë Ndërkombëtare që u vunë në mbrojtje popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi e Demokraci.

”U jemi thellësisht mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë që edhe sot vazhdojnë ta ndihmojnë forcimin e demokracisë së vendit tonë. Sot, ne kujtojmë Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, Familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe secilin qytetar të Kosovës, që dhanë jetën e tyre që gjeneratat tona ta gëzojnë lirinë”, ka shtuar tutje Abdixhiku.