Abdixhiku takon Ambasadorin britanik: Me LDK-në udhëheqëse, Kosova do të rikuperojë pozicionin ndërkombëtar

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 22.01.2025, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në këto ditë fushate, Abdixhiku e ka njoftuar Ambasadorin për rrjedhën e tubimeve elektorale.

Ai tha se u zotua që pas 9 shkurtit me Qeverinë e re të LDK-së, Kosova do të rikuperojë pozicionin e saj ndërkombëtar dhe do të avancojë interesat strategjike.

“Ambasadorin e njoftova për momentumin e mirë të fushatës sonë; për rrjedhën e tubimeve impresive, si dhe për pritjet tona për ndryshim! E njoftova dhe për projektet e mëdha kapitale, që do t’i realizojmë! U zotova që pas 9 shkurtit, me LDK-në udhëheqëse të Qeverisë së Re, Republika e Kosovës do të rikuperojë pozicionin e saj ndërkombëtar, siç dhe do të avancojë interesat tona strategjike.” – ka thënë lideri i LDK-së.

Ndërsa, ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar është aleat strategjik i Kosovës – duke thënë se e ka falënderuar Ambasadorin, për gjithë kontributin e dhënë në çdo etapë.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdolloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008 – duke ftuar qytetarët për mobilizim masiv për të arritur numrin rekord të daljes së grave dhe vajzave në votime.