Abdixhiku takohet me ambasadorin e SHBA-së, flasin për dialogun Kosovë – Serbi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirje të Shteteve të Bashkuara.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”- thuhet në njoftim.

Sipas LDK-së, Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Tutje në njoftim thuhet se në këtë takim u elaboruan edhe pikëpamjet e LDK-së mbi preambulën dhe nenet 7 dhe 10 të tekstit të marrëveshjes – Propozimit të BE-së.

Propozimi i BE-së, i njohur si Plani franko-gjerman, që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua në shtator 2022, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti pas takimit ka thënë se ai ka qenë i gatshëm ta nënshkruante Planin e Bashkimit Evropian, i njohur si Plani franko-gjerman, por Vuçiq nuk ka pranuar.

Ndërsa, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pritet të zhvillohet një takim trilateral mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell.