Abdixhiku reagon pas rekomandimit për shtyrje të zgjedhjeve: IKShPK u shndërrua në instrument të pushtetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Abdixhiku e ka quajtur IKShKP-në instrument të pushtetit.

“Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku ka thënë se Kosova ka mbajtur zgjedhje në pandemi dhe se vendet fqinje po mbajnë zgjedhje tani.

Sot IKShKP-ja i  ka rekomanduar presidentes që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen.

Në letër potencohet se për shkak të gjendjes me pandeminë dhe rastet e vdekjeve, por edhe nga vlerësimi i profesionistëve shëndetësorë, IKShPK janë të mendimit që mbajtja e procesit zgjedhor që ngërthen tubime, paraqet rrezik për qytetarët.

“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga ShSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profesioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKShPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet”, potencohet në letër.

Në letrën drejtuar presidentes Osmani theksohet se procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19.

“Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën IKShPK-së.

Ndërsa nga Vetëvendosje për KALLXO.com kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth shtyrjes së datës së zgjedhjeve.