Abdixhiku: Qeveria me 51% pushtet e 12 miliardë euro buxhet nuk arrin asnjëherë të nisë vitin shkollor mbarë

Pas njoftimit të Ministrisë së Arsimit se edhe për vitin shkollor 2024/2025 do të subvencionohen prindërit e nxënësve të klasave 1 deri 9 për blerjen e teksteve shkollore, ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas kryetarit Abdixhiku, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk arrin asnjëherë ta nisë vitin shkollor mbarë.

“Sivjet, sikurse vjet, Ministria e Arsimit, në i thënshin ashtu, nuk arrin t’i sigurojë librat për nxënësit. Sikurse vjet, edhe sivjet, prindërit do të maltretohen në radhë të gjata, në procedura të panevojshme burokratike subvencionimi, e përfundimisht dhe në pamundësi blerjeje me kohë të teksteve shkollore për fëmijë” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook më 13.08.2024.

Për shkak të kësaj situate me librat, Abdixhiku ka theksuar edhe disa fjali – “Paaftësia kushton!” dhe “Popullizmi kushton!”.

“Prandaj injorojeni propagandën. Shihni problemet elementare me të cilat ju lënë të vetëm në hall. Sa larg jemi nga reforma, kur as edhe një vit të vetëm shkollor nuk arrinë ta nisin mbarë! Të mbeteni të sigurtë se ky është viti i fundit që familjet, prindërit e fëmijët kosovarë përjetojnë një maltretim të tillë” – ka shtuar Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku ka dhënë zotimin e tij se viti i ardhshëm shkollor do të nisë me koeficient të pagës 150 për mësimdhënësit, e me tekste shkollore të siguruara nga shteti për nxënësit e Kosovës.

“Ky është zotimi im! Paga të dinjtitetshme, tekste falas para bankave!” – ka përfunduar ai.

Pasi ka përfunduar mbledhjen me drejtorët komunalë të Arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2024/2025.

Me këtë rast, ajo ka deklaruar se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

“Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra subvencionimit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë (për subvencionim) që nesër” – ka thënë Nagavci.

Ndryshe nga subvencionimi i blerjes së librave në vitin shkollor 2023/2024, për vitin shkollor 2024/2025 ministrja Nagavci tha se prindërit e nxënësve të klasave 1 deri 5 do të subvencionohen me shumën prej 80 eurosh për blerjen e librave, kurse prindërit e nxënësve të klasave 6 deri 9 do të subvencionohen me vlerën prej 110 eurosh.

Ekipi i KALLXO.com ka parë se në mbledhjen e ministres Nagavci kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi dhe këta drejtorë të Arsimit: Muhamet Gjoka (DKA Drenas), Jehona Lushaku (DKA Prishtinë), Besnik Hulaj (DKA Deçan), Afrim Llabjani (DKA Ferizaj), Kastriot Duraku (DKA Skenderaj), Rexhep Zeka (DKA Obiliq), Drita Kadriu (DKA Mitrovicë e Jugut), Avni Fetahu (DKA Podujevë), Zeni Krasniqi (DKA Dragash), Remzi Bajselmani (DKA Suharekë).

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, edhe më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.

Lidhur me subvenciminin e librave për vitin e kaluar shkollor janë ngritur dyshime nga opozita në Kuvendin e Kosovës. Për këtë qëllim në Kuvend është krijuar një komision i veçantë hetimor që po merret me hulumtimin e rastit- nëse ka pasur ose jo keqpërdorime në këtë proces.