Abdixhiku: Qëndresa e Jasharajve ishte rilindje e jona kombëtare

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë të kujtosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjen kolektive për liri.

Sipas tij, të shënosh Epopenë do të thotë të kujtosh e shënosh sakrificën, qëndresën e vetë kushtrimin e popullit.

Abdixhiku ka thënë se qëndresa e familjes Jashari përballë sulmeve serbe, ishte rilindje kombëtare.

“Qëllimi i shuarjes së trungut familjar një çerek shekulli më parë ishte qëllim i shuarjes së popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa juaj atëherë ishte rilindje e jona kombëtare. Rilindja juaj sot si familje është qëndresë që na mban në rrugën përpara. Qëndresa e tyre përballë forcave të shumta ushtarake ishte zgjim për ne”- ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka shtuar se në historinë e popullin e Kosovës nuk ka asnjë ngjarje tjetër që arrin të ofrojë dhembshuri dhe krenari në të njëjtën kohë

“25 vjet më parë mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të familjes, të afërm e bashkëluftëtarë ranë në altarin e lirisë duke i dhënë vendit jo vetëm një histori sakrifice, por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që nuk mund të ndalej më. Në historinë e popullin e Kosovës nuk ka asnjë ngjarje tjetër që arrin të ofrojë dhembshuri dhe krenari në të njëjtën kohë”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë solemne për shënimin e 25 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

5, 6, dhe 7 marsi shenojnë përvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.