Abdixhiku publikon grafikun e rritjes së çmimeve të produkteve bazike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova është duke u përballur me valën më të rëndë të çmimeve në historinë e saj.
Ai përmes rrjetit Facebook tha se të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë rekorde të çmimeve në vend, ne krahasim me vitin 2021.
“Kosova po përballet me valën më të rëndë të papërballueshmërisë së çmimeve në historinë e saj. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës – raportit të publikuar sot – për vetëm një vit, çmimet e produkteve më bazike ushqimore e të shërbimeve kanë prekur rekorde të reja në vend”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, mielli është shtrenjtuar për 29%, buka për 17%, vaji për 46%, sheqeri për 23%, patatet për 24%, domatet për 30%, nafta e benzina për gati 30%, e energjia elektrike – pa subvencion – nga 85-104%.
“Janë çmime të rritura për vetëm 1 vit. Kjo rritje enorme, e paprecedentë deri më tani, vendosë kosovarët në krizën e papërballueshmërisë së përditshme”, potencon i pari i LDK-së.
Abdixhiku me tej thekson se përballë kësaj situate Qeveria ka braktisur detyrat dhe po bën rolin e spektatorit.
Ai shton se kjo paaftësi e Qeverisë do u kushtojë qytetarëve.
“Përballë kësaj krize, Qeveria Kurti ka braktisur detyrat e saj. Në kulmin e rritjes, ajo vazhdon të jetë vetëm spektatore. Vështron krizat barabartë me secilin qytetar. Asnjë masë fiskale, asnjë politikë qeveritare, asnjë pako zhvillimore e ndërmarrë deri më tash. Paaftësia qeverisëse kushton. Paaftësia e kësaj Qeverie kushton shumë”, shton më tej Abdixhiku.
I pari i LDK-së potencon se në raste të tilla vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha e të guximshme, kurse ngurtësimi vetëm në retorikë, sjell krizë.
“Politika publike duhet të jetë e gjallë. Vizionet zhvillimore duhet të jenë të mëdha; të guximshme. Ngurtësimi në retorikë të thatë, herët apo vonë sjellë krizë. Dhe me çmime inflative si këto, ky vend veçse po futet në krizë”, tha ai.