Foto: Screenshot, Lidhja Demokratike e Kosovës
Abdixhiku prezanton kandidatët e Prishtinës për deputetë të Kuvendit të Kosovës
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, më 07.11.2024 para simpatizantëve të kësaj partie në Prishtinë tha se LDK-ja është ngritur në këmbë dhe nuk ka asgjë që e ndal.
“‘Rruga e Re’ ka 120 projekte, 5 miliardë euro buxhet, ka 5 miliardë euro investime, ka 5% rritje ekonomike”- ishin disa nga premtimet e Abdixhikut.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshim në zgjedhjet parlamentare më 09.02.2025, duke thënë se adresa e vetme për zhvillim ekonomik dhe konsolidim të shtetësisë së Kosovës është LDK-ja.
Abdixhiku ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Prishtina, të cilët janë: Alban Zogaj, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Doarsa Kica – Xhelili, Doruntinë Maloku, Ema Nikçi, Fadil Aliu, Florian Dushi, Donjeta Dragusha, Hykmete Bajrami, Ismet Beqiri, Izet Sadiku, Jehona Lushaku-Sadriu, Jeta Rafuna, Krenar Xhaferi, Fiknete Bejta, Sibel Halimi, Sokol Havolli, Vlora Dumoshi, Arben Gashi dhe Lumir Abdixhiku.
“Kosova qëndron në udhëkryqin më të madh politik dhe ekzistencial që nga themelimi i saj. Në këtë udhëkryq, qytetarët duhet të kuptojnë edhe zgjedhjet e 9 shkurtit, bëhen për të përcaktuar vetë fatin e Kosovës. Bëjmë thirrje për ndryshim të madh politik në Kosovë, thirrje për ndryshim, për ‘Rrugën e Re’ të Lidhjes Demokratike të Kosovës”- tha ai.
Ai tha se pas Prishtinës, ‘turneu i ndryshimit’ do të vazhdojë nesër (08.11.2024) në Viti dhe pasnesër (09.11.2024) në Pejë.
Me nismën ‘Rruga e Re’, kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, synon realizimin e tri ambicieve kryesore nëse arrin t’i fitojë votat e mjaftueshme në zgjedhjet e 09.02.2025.
Investimet e prekshme qeveritare sipas Abdixhikut do të mbërrijnë në pesë miliardë euro brenda katër vitesh mandat, gjë që është një nga tri shtyllat kryesore të planprogramit të tij, që i prezantoi në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, më 21.09.2024.