Abdixhiku për vendimin e Apelit lidhur me shtrenjtimin e rrymës: Qytetarëve t'u kthehen mjetet!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e pezulloi vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve.

Ai ka kërkuar që t’u kthehen mjetet qytetarëve që janë faturuar, sipas tij, kundërligjshëm.

“Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”, ka shkruar Abdixhiku

Ai shtoi se përpos kthimit të mjeteve, duhet rishikim i tarifave dhe shkarkim i bordit të ZRRE-së.

“Kthimi i mjeteve tek qytetarët tanë, rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, janë hapa të domosdoshëm që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti duhet t’i ndërmarrin sa më parë. Sot kërkojmë përgjegjësi publike nga ata që paligjshëm i shtrenjtuan faturat e energjisë; e që mbrojtën me garancë këtë paligjshmëri”, shtoi tutje Abdixhiku

Kreu i LDK-së theksoi se pjesa tjetër e të vërtetës për krizën energjetike do zbardhet nga komisioni hetimor parlamentar.

“Pjesa tjetër e së vërtetës rreth krizës energjetike – të keqpërdorimit të qindra milionave, pagesave në llogari të fshehta, e vonesës në reagueshmëri – do të zbardhen në Komisionin Hetimor Parlamentar”, shtoi ai.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është pezulluar përfundimisht nga Gjykata e Apelit.

Apeli e konsideroi si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës