Abdixhiku: Për shkak të grevës, pacientët me kancer refuzohen për kimioterapi

Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të sindikatës së Shëndetësisë që të mbajnë grevë.

Abdixhiku ka thënë se në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës, duke aluduar në rastet e personave të prekur nga kanceri e që si pasojë e grevës, po refuzohen për kimioterapi. Sipas tij, mjekët kanë kaluar kufirin me ketë veprim.

“Hallexhinj me sëmundje kanceri, refuzohen për kimioterapi. Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, kthehen mbrapshtë si mall. Arsye u thonë është greva. Ec e shpjegoja dikujt që përballet me jetë arsyet e tua për grevë”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’, të premten.

“Në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashtun mjekë, kaluat këtë kufi”, vijon komunikata.

Më tej, Abdixhiku ka thënë se është e drejta e tyre që të protestojnë, pasi që sipas tij, për një vit rresht kanë luajtur më dinjitetin e tyre.

“Keni çdo të drejtë të mbani inat; keni të drejtë të protestoni. Ju kanë mashtruar. Kanë luajtur me dinjitetin tuaj për një vit rresht. Ju kanë dhënë një ligj të padrejtë, të rrëzueshëm – e tash, mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet. Por adresën e mllefit e keni gabim. Më së paku në këtë adresë i gjeni pacientët me kancer; të cilët juve ju shohin si heronj të fundit, e ato barna që i presin me javë rend si shpresë për më shumë jetë. E di këtë punë vet. Kam kaluar nëpër korridoret e tilla me familjarë më shpesh se ç’mund të kisha imagjinuar ndonjëherë”, përfundon Abdixhiku.

Dërgimi i Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit ka shtyrë mantelbardhët të mbajnë grevë.

KALLXO.com ka raportuar sot se Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës nuk kanë përkrahur grevën e nisur nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Pezullohet Ligji i Pagave, nuk ka paga me rritje për tre muaj