Abdixhiku për paralajmërimin për pezullimin e kontratve të zyrtarëve grevistë: Është kërcënim ndaj proceseve demokratike

Pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Financave dhe Transfereve, për pezullimin e kontratave të punës të grevistëve për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë ka reaguar kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka thënë se ky paralajmërim i Qeverisë është kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vetë shtetit juridik.

Abdixhiku pushtetin e Qeverisë Kurti II e ka cilësuar autokratik.

“Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridic” – u shpreh i pari i LDK-së.

Ai po ashtu shtoi se sot shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publikë që, sipas tij, me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri.

Abdixhiku shtoi se këta të fundit, përballueshmërinë nuk e kanë gjetur, por, sipas tij, kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij.

“Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë” – tha ndër të tjera kryetari i LDK-së.

Abdixhiku shefin e Qeverisë e cilësoi si kryeministër të premtimeve, por që nuk po arrin të mbajë asnjë premtim.

“Po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha” – tha Abdixhiku.

Gjatë ditës së sotme, Enis Spahiu, zëvendës-sekretar i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka konfirmuar për KALLXO.com se paga e secilit grevist do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë e që rrjedhimisht ata nuk janë të detyruar të dalin në punë për aq kohë sa duan të qëndrojnë në grevë.

Sipas Spahiut, kjo është bërë për të respektuar Ligjin për Greva meqenëse ndaj grevistëve nuk mund të merren masa disiplinore e as të zëvendësohen.

“Është e vërtetë që kemi dërguar e-mail. Fillimisht kemi marrë një konfirmim nga sindikatat qa sot fillon një grevë, fillimisht i kemi kthyer e-mail sindikatës, ne kemi konfirmuar që e respektojmë grevën dhe do të sigurojmë kushtet e grevës. Megjithatë ligji e kërkon që të respektohen disa kushte të grevës nga ana jonë- procedurale, sigurimi i të drejtës së grevës, hapësirës e të tjera. Por, sipas nenit 18, paragrafi 1 kërkon edhe pezullim të kontratës së punës sepse një zyrtar që është në grevë nuk mund t’i iniciohet procedurë disiplinore, s’mund të zëvëndësohet por për aq orë sa qëndron në grevë nuk do të marrë pagë”- tha Spahiu.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga sot ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend. BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.

Ministria e Financave paralajmëron pezullimin e kontratave të të gjithë grevistëve