Abdixhiku për mos-vizitën e Blinken në Kosovë: Shteti ynë është bërë peng i çmendurisë popullsite
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka komentuar vizitën e sekretarit të shtetit, Antony Blinken në Shqipëri të entjen më 15.02.2024.
Ai tha se vite më parë, një vizitë e tillë nuk do të ishte e mundur pa kapërcim në Prishtinë.
“Kosova, si destinacion ishte e natyrshme” – u shpreh Abdixhiku.
Ai tutje shtoi se gjatë kohës së njëjtë sa ndodhi vizita në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë folën për, sipas tij, raportet më të ulëta historike.
“Sot, në të njëjtën orë e në të njëjtën ditë në Kosovën e zymtë prej popullizmit, SHBA-të na flasin për raportet më të ulëta historike. Për lëkundje partneriteti e krizë komunikimi” – u shpreh kryetari i LDK-së.
Tutje ai tha se është i lumtur për ecjen e Shqipërisë në ekonomi, kulturë, turizëm, sport e diplomaci, duke shtuar se po i ikin Kosovës me hapa të mëdhenj.
“Po e bëjnë mençur, si vend i NATO-s dhe me partnerë! Por Kosova, shteti ynë është bërë peng i çmendurisë populliste. I duartrokasin përplasjes. E nxisin delirin. Mburren me gjithë terrin politik që na shoqëron tash e tre vjet” – theksoi i pari i Lidhjes Demokratike.
“Nuk pres që Amerika të na bëjë qeveritë. Ata që kanë të tilla pritje – dhe sa kam kuptuar s’janë pak të tillë – nuk janë të destinuar për politikë. Kjo detyrë fisnike i takon vetëm popullit të Kosovës” – vazhdoi Abdixhiku.
Po ashtu, ai shtoi se tek populli i Kosovës ka besimin e plotë që do të japë përgjigje këtë vit, duke shtuar se si vend, si shtet, si popull, kemi detyrim ta bëjmë Kosovën më mirë – ekonomikisht, politikisht dhe me miq.
Më 15.02.2024 Blinken vizitoi Shqipërinë. Në një konferencë për media që mbajti bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ai pyet edhe për situatën në Ballkan, sidomos për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Blinken tha se rruga e duhur për Kosovën e Serbisë është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian e se e mbështesin këtë dialog.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij, komentoi situatën mes Kosovës e Serbisë.
Ai përsëriti apelin e tij për autoritetet e Kosovës që të mos bëjnë asnjë hap të pa konsultuar, të pakoordinuar me aleatët strategjikë sepse “është në radhë të parë në interesin e Kosovës dhe pastaj të aleancës së tyre”.
“Me veprime të pa konsultuara e të pakoordinuara mund te fitohen mbase ca vota por nuk fitohet e ardhmja” – tha kryeministri i Shqipërisë.
Rama gjithashtu tha se shqiptarët kudo që janë, duke filluar nga shqiptaret Kosovës, duhet të mos e harrojnë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier më 15.02.2024 ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.
Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.
Ambasadori amerikan shtoi se nuk i sfidojnë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, por kanë kërkuar që Rregullorja e re e BQK-së të shtyhet.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që Euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 01.02.2024.
Ditëve të fundit, Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.
Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.
Ai ka hedhur poshtë pretendimet se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u rrezikuar pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, e cila e përcakton që e vetmja valutë që mund të përdoret si mjet pagese në Kosovë është Euro.