Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, tha se në këtë takim ka shprehur shqëtësimet për gjendjen në veri të vendit, ndërsa tha se ka dhënë mbështetjen e tij për këtë vendim.

“Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai shtoi se ka kërkuar qartësime shtesë për rrugën përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë.

“Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet”, tha më tej ai.

Në fund, kryetari i LDK-së, tha se Kryeministrit Kurti i ka kërkuar po ashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në.

“Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë”, tha në fund Abdixhiku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën, më 26 shtator, priti në takim liderët e partive opozitare, ku u diskutua për situatën në veri të vendit.

Në takim morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku., por në takim nuk ishte i pranishëm, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Që prej 20 shtatorit, kur hyri në fuqi masa e reciprocitetit për targat nga Serbia, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë bllokuar nga serbët lokalë të cilët po e kundërshtojnë këtë masë.