Abdixhiku paralajmëron krizë të rëndë energjetike, kritikon Qeverinë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po parashikon se dimri që po vjen do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë.

Abdixhiku po paralajmëron një krizë energjetike, e cila, sipas tij, do të godasë secilën familje dhe secilin biznes.

Ai ka kritikuar Qeverinë, e cila, sipas tij, ndonëse e paralajmëruar me kohë me krizën që po vjen, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë.

“Në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë. Projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Në vend të prodhimit, bateritë – pra deponimi i energjisë – ka marrë prioritet. Para se të deponosh duhet të prodhosh” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë” – ka shtuar ai.