Abdixhiku: Një Urë për propagandë, populistët brengë kanë votat
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të së enjtes në Mitrovicë të Veriut, në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për hapjen për qarkullim edhe të automjeteve të Urës së Ibrit.
“Një Urë për propagandë” – u quajt nga i pari i LDK-së e gjithë situata e krijuar. Ai theksoi se propaganda e pushtetit sot më shumë është e drejtuar kundër faktorit politik shqiptar sesa ndaj Serbisë dhe projektit të saj ndarës në Urën e Ibrit.
“Sepse populistët brengë kanë votat dhe pushtetin, prandaj dhe gjithë ky atak paraelektoral” – shtoi tutje ai, teksa tha se fushata ka filluar, por partia e tij refuzon këtë përballje pa përmbajtje, prandaj tha se edhe e injorojnë.
Në reagimin e tij, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që edhe ata ta injorojnë këtë çështje.
Ai tutje shtoi se ura duhet të hapet, duke thënë se nuk ka dhe nuk njoh ndonjë pozicion tjetër politik shqiptar në Kosovë mbi këtë çështje tash e një çerek shekulli.
“Ura, megjithatë, nuk është hapur për shkak të vlerësimeve të NATO-s dhe të SHBA-ve mbi sigurinë. Nëse këto vlerësime ndryshojnë në ndërkohë, kushtet piqen, prezenca e tyre në Urë zhbëhet, e njëjta hapet. Prandaj, sa shpenzon kohë pushteti me atak ndaj faktorit shqiptar, të merret me bindjen e aleatëve tanë. Ky është patriotizëm sot. E nëse i keni bindur, hapeni” – tha kryetari i LDK-së.
Tutje ai shtoi se në të kundërtën, hapja e urës pa ta nënkupton konfrontim me ta, duke shtuar se imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka.
“Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t’i pranojë e as nuk do t’i tolerojë” – shtoi Abdixhiku.
Ai gjithashtu tha se një kryeministër serioz do duhej t’i vlerësonte të gjitha këto shumë kohë para se të fusë shtetin në një rrugëtim.
“Por ne kemi Kryeministër për propagandë. Prandaj, mos shpenzoni kohë në këtë fushatë paralektorale të popullistëve” – tha i njëjti.
Qeveria e Kosovës njoftoi gjatë muajit të kaluar se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.
E ditëve të fundit janë shtuar angazhimet drejt këtij synimi.
Të mërkurën, qytetarë serbë kanë protestuar kundër hapjes së urës.
Kurse sot, më 08.08.2024 në Komunën e Mitrovicës së Veriut është mbajtur një mbledhje me qytetarë, gjatë të cilës institucionet e Kosovës janë përpjekur të bindin qytetarët se hapja e urës nuk është kundër askujt por vetëm për të mirën e qytetarëve.
Ditëve të kaluara, SHBA, Bashkimi Europian e KFOR-i kanë kërkuar që çështja e hapjes së urës të negociohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga BE.