Abdixhiku: Nesër pritet të rikthehen 180 qytetarë nga Gjermania

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, gjatë një konference për media, bëri të ditur se nesër priten të kthehen 180 qytearë nga Gjermania.

Abdixhiku tha se kushdo që rikthehet do të vendosen në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Deri më tani jaën evidentiuar 834 qytetarë që dëshirojnë të kthehen në Kosovë. Ne jemi duke i trajtuar këto raste.  Secili i rikthyer në Kosovë do të vendoset në Qendrën e Studentëve për 14 ditë. Si ministri jemi të përgjegjshëm që të iu sigurojmë transportin deri në Kosovë dhe transportin nga aeroporti deri në këtë qendër”, tha Abdixhiku.

Ai tha se transporti nga aeroporti në karantinë do të bëhet me mjetet e ushtrisë.

Abdixhiku tha se është duke u bërë evidentimi i qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, ndërsa bëri thirrje që vetëm udhëtarët me urgjencë të kthehen.

“Bëjmë thirrje që vetëm udhëtarët me urgjencë të marrin rrugën e kthimit për në Kosovë. Kemi krijuar një rreth të ri bashkëpunimi institucional, për të bërë të mundshëm kthimin. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme janë udhëzuar të gjitha ambasadat tona nëpër botë, për të bërë evidentimin dhe regjistrimin e të gjithë njerëzve që jetojnë jashta Kosovës”, tha ministri Lumir Abdixhiku.