Abdixhiku: Nëse vendi shkon në zgjedhje, nuk është faji i LDK-së

Deputeti i LDK-së, i zgjedhur në zgjedhjet e 6 tetorit, Lumir Abdixhiku, ka komentuar negociatat që kanë ngecur mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e koalicionit qeveritar.

Në emisionin Rubikon në KTV, Abdixhiku tha se nëse do të dështojë arritja e marrëveshjes së koalicionit dhe nëse vendi shkon në zgjedhje të reja atëherë nuk është faji i LDK-së.

“Është momenti i fundit që të merremi vesh. Përpjekja jonë është që të mos ketë zgjedhje. Do të jetë një dëshpërim. Nëse nuk ka marrëveshje tash, do t’i jepet mundësi për koalicione parazgjedhore partive të tjera”, tha Abdixhiku.

Ai tha se në rast se do të shkohet në zgjedhje, atëherë ai nuk sheh bashkëpunim tjetër LDK-LVV.

Abdixhiku nuk e mohoi se LDK në bisedimet me Vetëvendosjen po kërkon zotimin e votave të partisë së Albin Kurtit për postin e presidentit të vendit dhe të kryetarit të Kuvendit në këmbim me votat e LDK-së për kryeministrin nga radhët e LVV-së.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, janë takuar sot sërish në përpjekje për të arritur marrëveshje për koalicionin qeveritar.

Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Sipas një njoftimi të LDK-së, Mustafa e Kurti janë marrë vesh të intensifikojnë bisedimet në ditët e ardhshme.

LVV e LDK pajtohen veç për të vazhduar takimet

.