Abdixhiku në Vushtrri: U zotova, në këtë përvjetor të Rugovës, se relacionet tona me SHBA-në do të jenë të shkëlqyeshme

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim me qytetarë në qytetin e Vushtrrisë më 21.01.2025.

Ai është zotuar se relacionet me SHBA-në do të jenë të shkëlqyeshme, të pathyeshme dhe të pazëvendësueshme.

“U zotova, në këtë përvjetor të Rugovës, se në Qeverinë tonë të ardhshme, relacionet tona me ShBA-të, si përherë, do të jenë të shkëlqyeshme, të pathyeshme dhe të pazëvendësueshme. Po ashtu zotohem se vizitën e parë si kryeministër do ta bëj në Amerikë, dhe kërkesa e parë do të jetë Kampi Bondsteel të bëhet i përhershëm”- ka thënë Abdixhiku.

“Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e Bashkim Evropian, e me miqësi të përhershme me ShBA-të” – ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot dhe do të jetë misioni ynë nesër”- ka thënë ai.

Sot më 21.01.2025 janë mbushur 19 vjet nga dita kur presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka vdekur.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.