Abdixhiku në takim me Lajçakun: Procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës thuhet se gjatë takimit, kryetari Abdixhiku dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, diskutuan për situatën e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia rikonfirmoi Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Abdixhiku, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit.

“Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit”, përfundon njoftimi.

Lajçak gjatë kësaj dite ka zhvilluar takim edhe me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosobvës Ramush Haradinaj.

Edhe Krasniqi edhe Haradinaj kanë theksuar qëndrimet e subjekteve të tyre për dialogun.

Krasniqi ka thënë se e ka njoftuar Lajçak me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili sipas tij duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi takon Lajçakun, kërkon që dialogu me Serbinë të mbyllet me njohje reciproke

Haradinaj tha se ka ripërsëritur qëndrimet e tyre për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin e tyre për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve.

Haradinaj takohet me Lajçak, tregon se çka biseduan

Lajçak dje ka arritur në Kosovë ku ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Ai do të qëndroj në Kosovë deri më 29 qershor.