
Lumir Abdixhiku në Suharekë, 31.01.2025, Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook
Abdixhiku në Suharekë: Qytetarët janë rreshtuar me LDK-në për ndryshimin e madh
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka vazhduar fushatën e tij elektorale në Suharekë, të premten, më 31.01.2025.
Abdixhiku është shprehur në Facebook se Suhareka ka potencial të madh për rritje dhe investime.
“Me vizionin tonë, dhe me programin ‘Rruga e Re’, ky qytet dhe e tërë Kosova do të përfitojnë nga projektet dhe politikat tona zhvillimore që sjellin më shumë vende pune, paga më të mira, infrastrukturë moderne dhe mundësi për çdo qytetar” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook, më 31.01.2025.
Sipas Abdixhikut, qytetarët anekënd Kosovës po tregojnë se ata nuk do ta pranojnë ngecjen dhe dështimin e shtetit, dhe se janë rreshtuar me LDK-në për ndryshimin e madh që është domosdoshmëri për të ardhmen e vendit.
“Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, prandaj ky mobilizim nuk është i rastësishëm – është fryma e një lëvizjeje që po përfshin gjithë vendin, në çdo qytet e fshat, në çdo lagje e shtëpi” – ka thënë Abdixhiku.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.