Abdixhiku: Në Senatin amerikan kërkova ngritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se gjatë takimit në Senatin amerikan me senatorin Christopher Murphy, ka kërkuar ngritjen e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe SHBA-së përmes ‘Kartës për Partneritet Strategjik’.

Abdixhiku po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjatë ditës së dytë të vizitës ai ka bërë të ditur se është takuar me senatorin Christopher Murphy, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme.

“Në këtë drejtim, kërkesat tona për mbështetje ndaj popullit të Kosovës, institucioneve të Republikës, e aspirstave tona për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s, ishin krejt të natyrshme. Po ashtu, në takim u theksua nevoja e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e politikës së jashtme, energjetikës e zhvillimit ekonomik” -ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku, dje, është takuar edhe me Zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.