Abdixhiku në Pejë premton 'investime multi-milionëshe' në fushën e kulturës kombëtare

Fushatën elektorale për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku e ka vazhduar në qytetin e Pejës, bashkë me kryetarin e kësaj Komune dhe njëherit kandidatin për Deputet, Gazemend Muhaxheri.

Abdixhiku, më 17.01.2025, kanë vizituar Galerinë e Arteve në Pejë, nga ku ka premtuar investime multi-milionëshe në projekte serioze kombëtare.

“Ndërtimi i Teatrit të Operas dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Bashkëkohor, Themelimi dhe Ndërtimi i Muzeut të Paqes dhe Rezistencës dhe Adoptimi i 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës.” – janë zotimet që ka shpalosur.

Abdixhiku ka thënë se kultura përbën vetë shpirtin e një populli dhe me Qeverinë e tij, shpirti kreativ i popullit do ta ketë të gjithë vëmendjen e shtetit.

Në praninë e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, Abdixhiku ka thënë se ajo që e dallon secilën Komunë ku qeveris LDK-ja është kultura e punës.

Po ashtu, në këtë vizitë ai është shoqëruar nga drejtoresha e Kulturës, Xhenetë Syka-Kelmendi, e cila është edhe kandidate për Deputete në listën e LDK-së.

Mq 17.01.2025, Abdixhiku ka paralajmëruar vizitë edhe në Deçan, në Junik e në Lug të Baranit.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.