
Abdixhiku në Novobërdë: Do të shërbejmë e do të kujdesemi për të gjithë
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar më 14.01.2025 disa takime me qytetarë në kohën e fushatës elektorale për zgjedhjet e 09.02.2025.
Me bashkëpunëtorë, Abdixhiku ka mbajtur takim në Novobërdë, ku tha se janë pritur me plot ngrohtësi.
Abdixhiku tha se qëndruan në Novobërdë si dëshmi se për LDK-në nuk ka qytetar të rendit të parë e të dytë, qytet të madh e të vogël.
“Jemi një, bashkë, në një fat për të gjithë. Do të shërbejmë e do të kujdesemi për të gjithë. Edhe këtu shpalosëm projektet e idetë tona. Kohë për ndarje e përplasje nuk kemi. Kemi vetëm një obligim; të paraqitemi denjësisht para qytetarëve tanë me zotime e projekte për 4 vitet e ardhshme”- tha Abdixhiku.
Ai e përmendi edhe Bajrush Ymerin, si kandidati i vetëm i LDK-së për deputet nga kjo komunë.
Po ashtu, gjatë ditës, në një konferencë të mbajtur në Prishtinë, Abdixhiku, dhe kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, prezantuan një plan ambicioz investimesh në Prishtinë prej 1.5 miliard eurosh.
Ky program, tha Abdixhiku, do ta transformojë jetën në kryeqytet dhe do t’i japë fund pengesave që burojnë “nga përçarja e që nuk ofrojnë asgjë për qytetarët”.
“Plot 1.5 miliard investime për kryeqytetin! Sot, bashkë me Përparimin, prezantuam zotimet e qeverisë sonë për zhvillimin e kryeqytetit dhe nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për projektet që do ta definojnë të ardhmen e vendit. Infrastrukturë, sport, kulturë, arsim e shëndetësi! Projekte ambicioze që do ta transformojnë jetën në kryeqytet, dhe që do t’i japin fund pengesave që burojnë nga përçarja e që nuk ofrojnë asgjë për qytetarët”- ka thënë Abdixhiku.
Ai u zotua se do t’i ndajnë 200 milionë euro, në katër vite, për mësimin gjithëditor në të gjithë komunën e Prishtinës, 120 milionë euro do të ndahen për Qendrën Kombëtare të Sportit në Bërnicë, 60 hektarë të tjerë do të ndërtohet parku teknologjik, mbi 100 milionë euro do të ndahen për kulturë, 120 milionë euro për projektin e kogjenerimit dhe dyfishimin e kapaciteteve aktuale të ngrohjes në Prishtinë, nëpërmjet Termokosit dhe ndërtimin e spitalit të ri.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.