Abdixhiku në Mitrovicë: Koha për LDK-në sërish ka ardhë

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim me qytetarë në qytetin e Mitrovicës.

Ai ka thënë se Mitrovica është simbol i përpjekjes për bashkim e nevojës për rezistencë.

Më tej ai ka thënë se Mitrovica ka lindur dhe rritur njerëz të pashembullt, punëtorë, intelektualë, artistë dhe heronj që i dhanë Kosovës shpirt dhe jetë.

Abdixhiku ka thënë se ka qenë aty për të përhapur kushtrimin e djathtë kombëtar se koha për LDK-në sërish ka ardhë.

“Prandaj nuk jam sot mes jush të ju ftoj nëndarje e përcarje. Të ju nxis në urrejtje ndaj tjetrit. Të ju ndajë në patriot e tradhëtarë, me mua apo me Serbinë. Sot jam këtu të ju shtroj dorën e afrimit, të shpalosi programin e ndryshimit e mbi të gjitha, të përhapë kushtrimin e djathtë kombëtar se koha për LDK-në sërish ka ardhë” – ka thënë ai më 18.01.2025.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.