Foto: Lumir Abdixhiku, Facebook

Abdixhiku në Klinë: Ne nuk jemi për të ndarë e përçarë, por për të ofruar vizion dhe shpresë

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 15.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Klinës prej ku ka thënë se kjo fushatë është shndërruar në festë të ringritjes së LDK-së drejt ndryshimit të madh.

Ai ka thënë se nuk janë për të ndarë e përçarë por për të bashkuar e ofruar vizion dhe shpresë.

“Ne nuk jemi këtu për të ndarë e përçarë, për të nxitur mllefe e urrejtje. Jemi këtu për të bashkuar, për të ofruar vizion dhe shpresë, për të ndërtuar një Kosovë të fortë, të drejtë dhe të barabartë”- ka shkruar Abdixhiku.

“Sonte, në Klinën e traditës dhe krenarisë kombëtare, ndjemë fuqinë e një populli që është ngritur në këmbë për ndryshim. Sonte këtu, ku gjurmët e lashtësisë dardane ndërthuren me energjinë e njerëzve të ndershëm e punëtorë, Klina dëshmoi se është gati të prijë në kryengritjen e madhe të djathtë”- ka thënë tutje ai.

Kandidati për kryeministër i LDK-së, më 15.01.2025 ka qenë për vizitë edhe në Lipjan, dhe bashkë me kryetarin e kësaj Komune, Imri Ahmetin, kanë vizituar nënkalimin e parkingun e qytetit.

“Mes qytetarëve e mbështetësve të shumtë, që na prisnin aty, tregova se si fokusi ynë është në projekte madhore që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Prandaj kemi plot 5 miliardë euro investime kapitale për katër vjet, në programin më ambicioz që ka pasur Kosova ndonjëherë”- ka thënë ai.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.