Foto: Lumir Abdixhiku, Facebook

Abdixhiku në Kamenicë: Zotohem për përfundimin e autostradës së Anamoravës brenda 4 viteve

Lidhja Demokratike e Kosovës më 13.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Kamenicë.

Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka premtuar se gjatë mandatit të tij do ta ndërtojë autostradën e Anamoravës.

‘’Më lejoni që si njeri i kësaj ane të zotohem për përfundimin e autostradës së Anamoravës brenda 4 viteve. 2 vitet e para deri në Bresalc e pastaj deri të Dheu i Bardhë”- është shprehur ai.

Sipas tij, në Kamenicë ndihen pasojat e një qeverisjeje që ka dështuar t’u japë njerëzve mundësitë dhe mbështetjen që u takon.

“Dhe këtë qeverisje, ju qytetarë të Kamenicës, e keni patur në dy nivele. Pra edhe në atë qendror edhe në atë lokal. Dhe me gjithë fuqinë politike që ua keni dhënë, me gjithçka, në çdo pushtet, në çdo mjet, në çdo mundësi, Kamenica juaj vazhdon të jetë vendi me zvogëlimin më të madh të popullsisë në gjithë Kosovën. Kamenica vazhdon të jetë vendi me migrimin më të madh në gjithë Kosovën”- ka thënë Abdixhiku.

Gjatë ditës, Abdixhiku ka qëndruar edhe në qytetin e Vitisë, në hapësirat e reja të Kampusit të Shkollave të Mesme dhe në QKMF-në ‘Nëna Terezë’ në Viti.

Ai ka thënë se atje shpalosën zotimet për sektorin e shëndetësisë.

Sipas Abdixhikut, tubimet në qytete më të vogla janë shenjë e qartë se populli i Kosovës i është rikthyer Lidhjes Demokratike.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.