
Abdixhiku: Moskoordinimi me aleatë, në veçanti me SHBA-të është thjesht akt antishtetar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri të vendi, duke konsideruar se moskoordinimi me aleatët, në veçanti me SHBA-të “është akt antishtetar”.
Përmes një postimin në Facebook, Abdixhiku është treguar i ashpër me kryeministrin e vendit, duke konsideruar se me veprimet e tij po i kthen aleatët e saj drejtë Serbisë.
“Moskoordinimi me aleatë, në veçanti me SHBA-të është thjesht akt antishtetar. Kujt i shërben kjo politikë? Kujt i shërben një Kryeministër si ky? Kush përfiton kur Kosova i dhuron Serbisë të gjithë aleatët e saj? Ky s’mund të jetë çmimi ynë”- ka shkruar ai.
Ai ka shprehur mbështetje për policinë e Kosovë në veri, duke konsideruar se koordinimi me aleatët është i pa alternativë.
“Politika e matur, politika me miq, është rruga e vetme e Kosovës. Gjithçka tjetër çon në theqafje; ku dhe jemi nisur me një Kryeministër si ky!”- ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.