Abdixhiku mbledh LDK në Podujevë, Agim Veliu nuk shihet askund

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot mblodhi strukturat e partisë në Podujevë.

Aty u pa kandidati i LDK-së për të parin e Podujevës, Ekrem Hyseni por mungoi, ish-kryetari i Podujevës dhe shefi i kësaj partie në këtë komunë, Agim Veliu.

LDK tha se Podujeva mbetet një bastion dhe e quajti Hysenin kryetar të ardhshëm të komunës.

“Qyteti i bukur i Podujevës, ka qenë dhe do të mbetet kala e pamposhtur e LDK-së. Në takimin me strukturat u diskutua edhe për organizimin dhe mobilizimin e pashoq që kanë udhëheqja lokale atje, në krye me Doktorin dhe kryetarin e ardhshëm, Ekrem Hysenin”, thuhet në postimin e LDK-së në Facebook.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me ish-kryetarin e degës së LDK-së në Podujevë dhe ish-kryetarin e kësaj komune, Agim Veliu, por ai nuk është përgjigjur në telefon.

Foto: LDK/Facebook

Ndërsa, në një prononcim pwr KALLXO.com, kandidati i LDK-së për Podujevë, Ekrem Hyseni tha se takimi ishte mobilizues dhe se Veliu është ende pjesë e degës.

“Ka qenë një takim mobilizues, nuk ka qenë ndonjë takim kështu, i kemi diskutuar disa modalitete. Mendoj që jemi duke e bërë një ekip të mirë”, tha ai.

I pyetur se a takohet shpesh me Veliun, Hyseni tha se është personale ndërsa tha pret rezultate të mira në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Patjetër që është (pjesw e degws). Ky ka qenë takim mobilizues, nuk ka pas karakter politik apo diçka. Ne jemi duke e bërë një mobilizim në kontakt me struktura, me këshilla sesi të arrijmë një rezultat sa më të mirë”, deklaroi ai.

Në fillim të muajit qershor, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku kishte marrë vendim për ‘shkarkim’ nga pozita e kryetarit të degës, Agim Veliun.

Por, me këtë nuk ishte pajtuar ish-ministri i LDK-së. Ai e kishte quajtur vendimin si përçarës.

Agim Veliu, ankesë drejtuar LDK-së: Vendimi përçarës i Kryesisë “CERTIFIKATË E MOSMIRËNJOHJES”

www.kallxo.com