Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku lexon vargje të Azem Shkrelit për të përshkruar qëndrimet e Kurtit

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, a do të kishim me u puth apo do kishim me u pështy”, – janë vargje të poetit Azem Shkreli të cilat sot kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka lexuar në Kuvend.

Abdixhiku këto vargje i ka përdorur për të përshkruar ndërrimin e qëndrimeve të kryeministrit Albin Kurti për çështjen e themelimit të asociacionit.

“Në vitin 2017 kur isha për herë të parë deputet, Adem Mikullovci na citonte vargje të Shkrelit të cilat po i citoj prapë. Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, a do të kishim me u puth apo kishim me u pështy, mendoni çfarë shikime do të kishte Kurti në pasqyrë. Unë nuk e kam brengë a i del vetja luan a kameleon por brengë kam qëndrimin politik dhe mungesën e plotë të kredibilitetit”- ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe atë të Ohrit, janë zhbërë gjashtë kushtet e kryeminisrit Kurti për themelimin e Asociacionit.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke ishte njëri nga kushtet e Kurtit në Kuvend, dhe nuk kanë kaluar as dy muaj dhe aneks marrëveshja parasheh qartë obligimin për të nisur diskutimet për themelimin e vetë menaxhimit të serbëve në Kosovë”- ka thënë ai.

“Për pozicionin ndryshues të Kurtit unë ndjej keqardhje. Çfarë fati i trishtueshëm politik”- është shprehur kreu i LDK-së, në Kuvend.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e 2 shkurtit 2023 kishte treguar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke” – është kushti i pestë që ka prezantuar Kurti.

Kurti tregon 6 kushtet mbi të cilat Kosova mund ta konsiderojë themelimin e Asociacionit