Abdixhiku: LDK - partia e parë me vota në zgjedhjet e 17 tetorit

Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po pretendon se doli partia e parë për nga numri i votave me gjithsej 170 mijë e 177 vota.

Lumir Abdixhiku, kreu i kësaj partie, tha se rikthimi i LDK-së si partia e parë në zgjedhje lokale është rikujtim se angazhimi i tyre i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare.

“Rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne. Por, mbi të gjitha, është rikujtim se angazhimi ynë i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare. Këtë besim e këtë rikthim duhet ta kujdestarojmë me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër”, tha Abdixhiku përmes një postimi në Facebook.

Abdixhiku përmes këtij postimi falënderoi votuesit e LDK-së që me besimin dhe mbështetjen e tyre vendosën Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë e parë.