Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: LDK do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mospagesën e mësimdhënësve

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Qeveria e Albin Kurtit është hakmarrëse ndaj të dobëtit.

Abdixhiku është zotuar se mësimdhënësit do t’i marrin pagat, dhe se LDK do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Të dashur mësimdhënës ju garantoj që pagat e juaja do të jepen. Ato do të paguhen herët a vonë merreni si zotim timin dhe zotim të LDK-së. Deri atëherë ne do të përdorim rrugë ligjore e institucionale për të ndërprerë padrejtësinë e këtij pushteti. LDK do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe me këtë do të rrënojmë këtë veprim të turpshëm johuman, joligjor të Qeverisë së Kosovës” – tha Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, deri tani janë paguar gjithë grevistët e tjerë në secilin sektor tjetër publik, por është vendosur me vetëdije të dënohen vetëm 25 mësimdhënës kosovarë.

“Është hakmarrje selektive ndaj një grupi, ndaj një kategorie. Nëse ligji qenka vërtetë kërkesë, atëherë si është e mundur që ligji të vlejë për disa e jo për të gjithë. Kjo qeveri ose nuk e kupton ligjin ose e kupton mirë e janë hakmarrës. Unë besoj që janë dyja. Në dy rastet janë jokompetentë dhe të padenjë për pozitën që e mbajnë” – shtoi ai.

Abdixhiku tha se Albin Kurti po kërkon krizë sepse sipas tij krizën e ka formë e mjet të mbijetesës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e kishte konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, kishte njoftuar se i kanë propozuar Ministrisë së Financave që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, sipas saj, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.