Abdixhiku: LDK do të jetë opozitë e reformuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti do të jetë një opozitë e reformuar.

Këtë komente ai e bëri përmes një postimi në Facebook duke njoftuar edhe për vendimet e sotme që i ka marrë Kryesia e LDK-së.

“LDK do të angazhohet të jetë një opozitë e reformuar; një alternativë kredibile por mbi të gjitha një organizatë politike që pasuron rradhët e veta me njerëzit më të mirë të vendit. Rruga përpara është e gjatë; por hapat tonë janë të sigurtë. Në këtë balancë të përbashkimit të brendshëm, reformimit adekuat e zgjerimit tonë të pandalshëm, qëndron edhe vullneti ynë për rikthimin tonë të madh”, ka shkruar Abdixhiku.

Ky është postimi i plotë i tij:

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së, morëm disa vendime në lidhje me organizimin e brendshëm; vendime që kanë për qëllim forcimin tonë të brendshëm e artikulimin e nevojshëm opozitar në vend.

– Në përputhje me Platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga unë e të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, krijuam ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në degët tona. Ekipet do të propozojnë reformimin e thellë tonin; të domosdoshëm për kohën dhe për nevojat e ardhshme. Reforma synon t’i hapë strukturat tona ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve e të rejave që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Ky proces është parakusht për zgjedhjet e ardhshme lokale.

– Me qëllim të komunikimit më të mirë me publikun, me votuesit e me anëtarësie tonë, aprovuam strukturën e re organizative nëpërmjet së cilës riorganizuam Zyrën për Media dhe Qendrën për Informim të Kosovës, të njohur si QIK. Në kuadër të këtij riorganizimi, në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themeluam edhe Shkollën Politike; detyrë e së cilës do të jetë organizimi teorik e praktik për të rinjtë e të rejat me bindje të qendrës së djathtë.

– Themeluam gjashtë departamente, të cilat në baza të rregullta do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimet politike të LDK-së, si dhe gjithë alternativën opozitare ndaj pushtetit. Themeluam Departamentin e Politikës së Jashtme; Departamentin e Rendit, Ligjit dhe Sigurisë; Departamentin e Ekonomisë dhe Biznesit; Departamentin e Arsimit, Kulturës dhe Sportit; Departamentin e Shëndetësisë; Departamentin e Rinisë; si dhe Departamentin e Avancimit Shoqëror. Në ditët në vijim do t’i shtojmë edhe Departamentin për Mërgatë. Pjesë e këtyre departamenteve do të jenë njerëzit më profesionistë që LDK i ka, dhe të tjerë që do t’i bashkëngjiten radhëve tona.

– Miratuam planin për nismën e regjistrimit të anëtarësisë sonë aktuale, dhe për regjistrimin e anëtarësisë së re. Ky proces do të jetë thelbi i organizimit tonë në një strukturë moderne e të qëndrueshme për kohën.

LDK do të angazhohet të jetë një opozitë e reformuar; një alternativë kredibile por mbi të gjitha një organizatë politike që pasuron radhët e veta me njerëzit më të mirë të vendit. Rruga përpara është e gjatë; por hapat tonë janë të sigurt. Në këtë balancë të përbashkimit të brendshëm, reformimit adekuat e zgjerimit tonë të pandalshëm, qëndron edhe vullneti ynë për rikthimin tonë të madh.