Abdixhiku: Ky është shtrenjtimi më i lartë i energjisë elektrike në historinë e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky është shtrenjtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës dhe se çdo muaj në vijim, një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji.

“Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatë energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze – ky është epilogu i paaftësisë. Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet”, ka thënë Abdixhiku.

Tutje, kryetari i LDK-së ka thënë se reagimet e Qeverisë janë të vonshme.

“Prandaj, paralajmërimin e sotëm skandaloz të Qeverisë, LDK do ta kundërshtojë këtë të enjte në seancë parlamentare. Presim që këtë vendim ta kundërshtojë çdo deputet i përgjegjshëm në Kuvend. Përtej kësaj, një dëm të tillë s’mund ta lejojmë e trajtojmë pa përgjegjësi”, është shprehur ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kilovatë është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 centë për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ulët apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kilovatë e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonit të dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonit të verës.

Kalkulatori për llogaritjen e faturës pas rritjes së çmimit të rrymës