Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku-Kurtit: Politikisht je tu shku ku kam qef ma t’pa, veç vazhdo!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku në seancën ku po zhvillohet debati parlamentar për masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetaret të përballen me rritjen e çmimeve i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta kuptoj saktë gjendjen në Kosovë.

Abdixhiku i tha Kurtit që është duke i humbur 4 vite për qytetaret e Kosovës.

“Politikisht je tu shku ku kam qef unë met t’pa, kjo është rruga ku dua të shoh se ku po shkon unë si kundërshtarë politik veç vazhdo, zgate zot, por je tu e marr në qaf vendin tond, bone një vijë, leje një shej dikund”, tha ai.

Kreu i LDK-së theksoi që inflacioni nuk është për faj të kryeministrit Kurti, por ati i takon që të bëjë zgjidhje.

“inflacioni në Kosovë është 13 për qind, rekordi më i lartë në historinë në Kosovë e që ta kuptojnë të gjithë, ky inflacion nuk është prej Albinit por prej luftës së Putinit por çështja nuk është se çfarë bënë Putini, por çfarë bënë Albini, a po merr ndonjë masë ta zbus këtë krizë”, tha ai.

Për t’ia sqaruar implikimin inflacionit 13 për qind, Abdixhiku ia përmendi shembullin e pasurisë së ministres së ekonomisë Artane Rizvanolli dhe deputetit Mirsad Shkreta.

“me 13 për qind inflacion, ato 200 mijë euro kursime të ministres së ekonomisë, sot bëjnë 170 mijë euro, e ato 50 mijë euro të ati baxhanakut e ato sot bëjnë 40 mijë euro, po un nuk e kam këtë problem, problemin e kam për ata njerëz që janë në kufi të mbijetesës shoqërore, dhe atyre duhet ti flasim Albin sot”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, qeveria nuk po i merr masat që i ka propozuar LDK sepse është propozim i partisë së tij.

“Ju keni inati më propozuesin dhe jo propozimin, ky është problemi juaj Albin, ki problem pse ne e kemi propozuar jo pse propozimi nuk është i mirë”, tha ai.

Në seancën e Kuvendit është duke u zhvilluar debati për rritje të çmimeve për të cilën si masë LVV ka propozuar miratimin e projektligjit për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë.

Ndërsa LDK ka propozuar reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në derivate për një periudhë 3 mujore me mundësi vazhdimi për 3 muaj, si dhe të zgjerimin lista e produkteve me TVSH të reduktuar.