Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku - Kurtit: Do t’i keni muajt e mjaltit, por zgjidhjet e problemeve ju presin aty

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij në seancën e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë së Kosovës ka thënë se LDK-ja e respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe se politikën nuk e shohin si të përhershme, po si cikël.

“Politikën e shohim si cikël, ku asgjë nuk është e përhershme, përveç kërkesës së pashtershme për demokraci”, ka thënë ai.

Tutje Abdixhiku i ka adresuar disa fjalë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

“Do t’i keni muajt e mjaltit edhe ju, por zgjidhjet e problemeve ju presin aty. Shumica me rezultat 50% duhet ta kujtoj se 50% tjetër e ka në dy anët tjera në kuvend.”, ka thënë ai.

Sot pritet që të votohet Qeveria Kurti 2.

Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Qeveria e Kurti 1 është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Ndërsa më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese, e konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jo kushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,280%.

Sot është konstituar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.