
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Abdixhiku - Kurtit: Albin a je i vetëdijshëm që je kryeministër edhe i veriut të Kosovës
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur në lidhje me një nga kushtet e kryeministrit Albin Kurti për strukturat ilegale në veri të vendit, për të cilat ai tha se duhet të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
Abdixhiku iu ka drejtuar Kurtit se është përgjegjësi kushtetuese e tij që të bëhet ç’armatosja e veriut.
“Albin a je i vetëdijshëm që je kryeministër edhe i veriut të Kosovës, që heqja e armëve atje është përgjegjësi kushtetuese e jotja dhe e organeve të rendit në Kosovë, nuk është çështje e dialogut me Serbinë. A e din këtë gjë. Si mendon që është kusht ç’armatosja e veriut, është detyrë e Policisë e jotja, e ministrit të Brendshëm” – ka thënë Abdixhiku.
“Jo gjashtë por 22 udhëzime i ke nga Gjykata Kushtetuese. Nuk ka polarizim më të madh në dy tri fjali tua që the sot. Njëherë thua do ta implementoj marrëveshjen e 2013-tës më pas Asociacion të Sharrit, Bjeshkëve të Nemuna. A je i vetëdijshëm çka po flet, si me i pas dy pole të mendimeve. A je mirë?”- shtoi ai.
Në kundërpërgjigje të kreut të LDK-së, Kurti e ka lutur që të ruaj qetësinë dhe racionalitetin dhe se sipas kryeministrit, 22 udhëzimet e kushtetueses tregojnë se sa herë ish-kryministri Isa Mustafa e ka shkelur Kushtetutën.
“Ju lutem ta ruani qetësinë dhe racionalitetin. Qetësi dhe racionalitet. Ato 22 udhëzime tregojnë sa herë kryetari i juaj i nderit e ka shkelur Kushtetutën, profesori që do të thoshin disa, edhe unë”- tha Kurti.
Më tej Kurti tha nuk po e kupton Abdixhikun që, siç tha keu i ekzekutivit “a po thotë që të hyjmë me forcë ne veri?”.
“Ju falënderoj që të gjithë që jeni të pranishëm se ka që edhe nuk janë, që i dëgjuat me vëmendje këto gjashtë kushte dhe që nuk dhatë mendime për heqjen e ndonjërit me përjashtim të deputetit Abdixhiku i cili nuk po e kuptoj a po thotë që të hyjmë me forcë ne veri? A është duke e sugjeruar këtë gjë”- shtoi kryeministri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka treguar gjashtë kushtet me të cilat Kosova mund ta konsiderojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjashtë kushtet e përmenduara nga Kurti:
- Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
- Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë bord dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Ligjit për vetëqeverise lokale.
- Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimit e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive.
- Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
- Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke.
- Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet për mospranimin e Republikës së Kosovës për në BE.
Më 30 janar, organizata gjermane Fondacioni Friedrich Ebert (FES) ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe.
Ky draft statut përmban 7 kapituj me gjithsej 18 nene dhe sipas tij, Asociacioni do të formohej në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Një ditë më vonë, më 31 janar, Ambasada amerikane në Kosovë, mbajti me përfaqësues qeveritarë, liderë politikë e të shoqërisë civile për të diskutuar në lidhje me Asociacionin.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.