Abdixhiku kujton thyerjen e kufirit me Shqipërinë të 22 vite më parë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kujtuar mëngjesin e 9 prillit të 22 viteve më parë, kur në Koshare, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin thyer kufirin me Shqipërinë.

Ai ka kujtuar 113 të rënët e betejës së Kosharës.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Lumir Abdixhikut:

Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, saktësisht 22 vjet më parë, burrat dhe gratë më të mirë të vendit kishin nisur thyerjen e kufirit shqiptar. Ky akt i tyre trimërie kishte shënuar edhe nisjen e Betejës së Koshares, një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të.

Sot, nderojmë gjithë të rënët; falënderojmë gjithë të gjallët. Sot, kujtojmë të 113 heronjtë e Koshares dhe sakrificën e tyre mbi altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë, na kujtojnë se sa rëndë peshon liria, se mbi çfarë sakrifice të shtrenjtë të djemve e vajzave të UÇK-së – gjeneratat e sotme e përjetojnë shtetësinë.

Jemi krenarë me ta. Jemi përjetësisht falënderues për ta. Mbi të gjitha, jemi në detyrim me ta; që secilën ditë të sotme ta kthejmë në ditë për atdheun tonë të shenjtë.