Abdixhiku: Kryeministri na flet si analist e si opozitar

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Abdixhiku ka thënë se kryeministri po deklarohet në lidhje me këtë çështje si një opozitar.

“Kryeministri na flet si analist e si opozitar. Ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit” – ka thënë ai.

Ai e ka përmendur edhe mosemërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë.

“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri” – ka thënë ai.

Ai ka kritikuar Kurtin edhe për grevën në sistemin e drejtësisë dhe shtyrjen e trajtimit të lëndëve në gjykata.

“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në grevë; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme” – ka shtuar Abdixhiku.

“Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim” – ka shtuar ai.

35-vjeçarja e cila ishte në përfundim të shtatzënisë është vrarë në oborrin e QKUK-së më saktësisht para Klinikës së Gjinekologjisë dje rreth orës 18:00.

Autor për vrasjen e gruas 35-vjeçare po dyshohet se është bashkëshorti i saj.

I dyshuari për vrasjen e saj është ende në arrati.

KALLXO.com ka raportuar se personi i dyshuar kishte aktakuzë për kanosje, e cila është ngritur më 10 gusht të këtij viti në Gjykatën e Ferizajt.

Sipas Gjykatës Themelore të Ferizajt, Stacioni Policor në Lipjan kishte pranuar dokumentin e urdhrit mbrojtës për gruan shtatzënë e cila u vra në oborrin e QKUK-së. Ky urdhër mbrojtës kishte vlefshmëri deri në mars të vitit 2023.