Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku kritikon LVV-në: I patën të gjitha, nuk dhanë asgjë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar partinë në pushtet- Lëvizjen Vetëvendosje, për politika populliste dhe “sulme ndaj aleatëve”.

Abdixhiku i ka thënë LVV-së se “përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota qëndrojnë humbjet e mëdha të shtetit”.

“Jemi në prag të përjashtimit edhe nga Procesi i Berlinit për të humbur barabarësinë me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ta kuptoni se përtej fitoreve të vogla momentale për pak vota qëndrojnë humbjet e mëdha të vetë shtetit. Jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n. NATO dhe Kosova janë bashkë e asnjëherë përballë” – ka thënë ai.

Sipas Abdixhikut, lajm i mirë për qytetarët është se po përfundon ky legjislacion.

“Për katër vjet nuk kemi asnjë njohje, asnjë anëtarësim, prandaj jemi nën masa e sanksione. Një politikë e tillë disfatiste e njohim shumë qartë e kemi mundur 25 vite më parë. Ne ishim vet dhe u bëmë bashkë me aleatë, ne ishim në të drejtën tonë edhe në sytë e të tjerëve, e kundërshtarët tanë i lamë në sanksione e të mbyllur e pa mbështetje euroatlantike”,- u shpreh ai.

Abdixhiku pati një thirrje për qytetarët e Kosovës.

“Nga kjo foltore e këtij Kuvendi i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës… të rreshtohen prapa refuzimit të madh që duhet t’i bëjmë këtij pushteti! I patën të gjitha, nuk dhanë asgjë! Jemi vetëm 5 muaj larg nga qëllimi ynë i mbarë.  Me zgjedhje të reja, me qeveri të re, me ide të reja, e ardhmja që e kemi kërkuar gjithherë është thjeshtë e ndritshme dhe e mundshme”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin vjeshtor me pajisje të reja teknologjike, sot më 12.09.2024.