Abdixhiku kritikon Kurtin: Qeveria me fillim të dobët, mbani përgjegjësi!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për menaxhim të pandemisë.

Abdixhiku ka deklaruar se marrja e Kurtit me zgjedhje e protesta në Shqipëri, në kohën sa dhjetëra persona në javë vdesin  nga COVID-19, sipas tij tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas kreut të LDK-së, Qeveria i ka braktisur njerëzit e vet.

“Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet. Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!”, thuhet në publikimin e tij.

Fundjavën e shkuar mijëra qytetarë të Kosovës, shkuan në Shqipëri, pasi në Kosovë janë në fuqi masat e mbylljes së gastronomisë dhe qendrave tregtare.

Në mesin e tyre ishin edhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, zyrtarë të së cilës përfshirë vetë kryetarin e partisë dhe kryeministrin Albin Kurti janë angazhuar në fushatë në zgjedhjet nacionale në shtetin shqiptar.