Abdixhiku kritikon Kurtin për sjelljen ndaj mësimdhënësve grevistë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti pas deklaratave nga zyrtarë të Qeverisë se punëtorët e sektorit publik që kanë mbajtur grevë nuk do të marrin pagat e muajit shtator.

Sipas Abdixhikut, në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension.

“Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kreu i LDK-së ka thënë se kryeministri Kurti vendosi t’i tregojë dhëmbët para mësimdhënësve – shtresës më të goditur nga kriza.

“Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza” – tha tutje i pari i LDK-së.

“Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave” – shtoi ai.

Lumir Abdixhiku theksoi se pagat mësimdhënësve do t’u paguhen, herët e a vonë.

“S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së. Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat” – ka theksuar ai.