Lumir Abdixhiku në Suharekë, 31.01.2025, Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook

Abdixhiku kritikon KQZ-në për vonesat në numërimin e votave dhe publikimin e rezultateve

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar  punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për procesin e numërimit të votave i cili po vazhdon ende.

Abdxihiku tha se KQZ ka pasur kohë katër vite për t’i bërë të gjitha përgatitjet për procesin zgjedhor, përfshirë këtu edhe numërimin e votave.

Ai ka bërë thirrje që votat të numërohen “në metodë klasike”.

Ndër të tjera ai tha se LDK në fund pritet t’i ketë “plot 180 mijë vota” dhe se do të arrijë rreth 20%.

Këtë rezultat e ka quajtur si rezultat të mirë pas “rënies historike”.

“E rëndësishme që kemi rigjetur njëri tjetrin, jemi kthyer në bazë. E rëndësishme që kemi rikthyer veten në numrat tanë historik. Kjo është baza jonë!” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025, LDK radhitet e treta me 17.67% të votave, pas LVV-së (40.84%) dhe PDK-së (22.05%).

Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.