Abdixhiku: Kosova po furnizohet me mallra esenciale, ruajeni qetësinë

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos krijojnë panikë.

Ky njoftim i Abdixhikut erdhi pas konfirmimit të 26 rasteve të reja pozitive me corona virus.

“Pa panikë! Fati i juaj është në dorën tuaj. E tëra çfarë kërkohet tani është të qëndrohet në shtëpi. Është kaq e thjeshtë; kaq pak mund të bëjë gjithsecili. Mbrojeni veten dhe secilin rreth jush. Dy javët e ardhshme janë kritike. Vendi po furnizohet me mallra esenciale; ruajeni qetësinë. Do ta gjejmë normalitetin sërish”, thuhet në njoftimin e Abdixhikut.

Gjithashtu pak para njoftimit të Abdixhikut, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim i cili parasheh që nga dita e nesërme qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve të bëhet vetëm në kohë të caktuara, e këtë vendim e ka kundërshtuar orët e mbrëmjes në një konferencë presidenti Hashim Thaçi, duke e quajtur vendimin antikushtetues.

Madje Thaçi kërkoi nga qytetarët dhe institucionet mos ta zbatojnë vendimin.

Numri i të prekurve me coronavirus në Kosovë ka arritur në 61.