Lumir Abdixhiku dhe Doarsa Kica Xhelili/ Foto: Lumir Abdixhiku- Facebook

Abdixhiku konfirmon kalimin e Kica-Xhelilit në LDK

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar edhe zyrtarisht kalimin në LDK të deputetes, Doarsa Kica Xhelili, e cila deri më sot ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë e bëri të ditur Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i cili i uroi mirëseardhjen Kica Xhelilit në partinë e tij.

“Mirësevjen Doarsë!Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë”- ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se me Kica Xhelilin ka biseduar për LDK-në duke shtuar se ajo ka shumë për ti dhënë kësaj partie.

“Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”- ka thënë Abdixhiku.

Gjatë ditës së djeshme u raportua se deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarja e partisë “Lista Guxo”, Doarsa Kica- Xhelili do të kalojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.