Abdixhiku: Koeficienti i zbrazjes së Kosovës!

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas publikimit të vlerës së koeficientit për ligjin e pagave në sektorin publik, i cili do të jetë 105 euro.

Abdixhiku ka thënë se Qeveria ka treguar pandjeshmëri ndaj qytetarëve të vendit.

“Në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoj pandjeshmëri. Pandjeshmëri ndaj përballjes qytetare, ndaj rritjes së kostos së jetesës, ndaj vet njerëzve të këtij vendi. Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”- shkruan ai.

Abdizhiku thotë se LDK ka propozuar koeficient në vlerë prej 125 euro dhe këtë propozim do ta dërgojnë si amendament në Kuvendin e Kosovës.

“LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125. Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amendament në Kuvend”- është shprehur kreu i LDK-së.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.