Abdixhiku: Karantinimi po funksionon

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kushtet në karantinë – në Qendrën Studentore, mund të mos ishin nga më të mirat por që karantinimi po funksionon.

“Mbi 500 qytetarë tanë janë vendosur aty. Janë ushqyer, përkujdesur e trajtuar me kapacitetet e një shteti që aq sa ka jep – por jep gjithçka. Janë testuar dyqind prej tyre, të gjithë janë liruar për në shtëpi. Qindra të tjerë do të kthehen gradualisht e do të vendosen aty njëtrajtësisht”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se tre prej atyre që kanë dalë pozitiv në Qendrën Studentore, për shkak të karantinimit nuk kanë kontaktuar askënd dhe nuk e kanë infektuar askënd.

“As brenda as jashtë. Sa për krahasim, vetëm një qytetar pozitiv në një qytezë Kosove ka nisur zinxhirin pozitiv tek mbi 50 të tjerë. Pa karantinë do të kishim shpërthim. Me karantinë kemi edhe kontroll edhe kthim në shtëpi”, ka theksuar ai.

Për këtë, Abdixhiku ka falënderuar të gjithë qytetarët që me durim qëndrojnë aty, shërbyesit e qendrës, të shëndetësisë, policët, ushtarët e vullnetarët që kanë bërë të vlejë i gjithë ky angazhim.

Që nga data 13 mars, kur edhe është shënuar rasti i parë me coronavirus në Kosovë, deri më sot numri i të prekurve me coronavirus në Kosovës ka arritur në 145, 23 të shëruar dhe 1 i vdekur.